Java 16.11 – 22.11

Pasqyra e Çmimeve

Republika e Shqipërisë · Ministria e Ekonomisë dhe InovacionitPasqyra e Çmimeve

Pyetjet më të shpeshta

Ky seksion përmban përgjigje për pyetjet dhe paqartësitë më të shpeshta lidhur me zbatimin e rregullave dhe procedurave. Për informacion të plotë mbi rregullat, kriteret dhe procedurat referojuni Metodologjisë.

Çmimet dhe burimi i tyre

Kush i mbledh dhe i raporton çmimet?
Çmimet raportohen çdo javë nga vetë zinxhirët tregtarë në përputhje me mekanizmin kombëtar të monitorimit. Të dhënat i nënshtrohen verifikimit dhe, kur është e nevojshme, korrigjimit përpara publikimit. Për saktësinë e çmimeve të raportuara përgjegjësinë e mban subjekti tregtar.
Cila është frekuenca e përditësimit të të dhënave?
Çmimet përditësohen në bazë javore. Publikimi i fundit i referohet periudhës 16 – 22 nëntor 2026. Ndryshimet në çmime pasqyrohen në publikimin e radhës dhe jo në kohë reale.
Cilët tregtarë përfshihen në platformë?
Të dhënat raportohen nga 6 zinxhirë tregtarë, me shtrirje në 33 qytete. Dyqanet e vogla, tregjet dhe subjektet tregtare që nuk janë pjesë e mekanizmit nuk përfshihen në raportim. Për këtë arsye, çmimet e publikuara mund të mos pasqyrojnë çmimin më të ulët të disponueshëm në tregun lokal.
Sa produkte dhe kategori përfshin platforma?
Monitorohen 201 artikuj të përfshirë në 13 kategori produktesh, të përqendruara kryesisht te produktet bazë. Të dhënat nuk përfaqësojnë të gjithë gamën e produkteve të ofruara në treg. Çmimet mund të ndryshojnë ndërmjet kategorive dhe produkteve të ndryshme.

Si interpretohen të dhënat

Pse ndryshojnë çmimet e të njëjtit produkt ndërmjet tregtarëve?
Produktet mund të jenë në paketime me madhësi të ndryshme. Për këtë arsye, krahasimi kryhet mbi bazën e çmimit për njësi matëse (lekë/kg, lekë/litër ose lekë/copë). Një paketim me çmim më të lartë mund të ketë një kosto më të ulët për njësi.
Çfarë tregon përqindja pranë çmimit?
Përqindja tregon ndryshimin e çmimit të të njëjtit produkt te i njëjti tregtar në krahasim me javën e kaluar. Ky tregues nuk përfaqëson normën e inflacionit apo ndryshimin mesatar të çmimeve në nivel kombëtar.
Çfarë nënkupton çmimi promocional?
Shenja e promocionit tregon se produkti ofrohet me çmim të reduktuar për një periudhë të përkohshme. Si çmime promocionale konsiderohen vetëm ofertat që janë të vlefshme për të gjithë konsumatorët. Ofertat me kusht, si "Bli 2, merr 1 falas", nuk e marrin këtë shenjë: për to krahasimi bëhet mbi çmimin e rregullt të produktit.
Pse disa produkte nuk kanë çmim të raportuar?
Çmimi i një produkti mund të mos shfaqet në platformë për disa arsye:
  • tregtari nuk e ofron produktin;
  • raportimi i çmimit për javën përkatëse nuk është kryer;
  • çmimi i raportuar është i vlefshëm në më pak se 80% të dyqaneve të zinxhirit tregtar.

Në rastin e fundit çmimi shfaqet veçmas, së bashku me numrin e dyqaneve ku aplikohet, por nuk përfshihet në renditjen krahasuese të çmimeve.

Raportimi i mospërputhjeve

Çfarë duhet të bëj nëse çmimi në platformë ndryshon nga çmimi në dyqan?
Mospërputhja mund të vijë nga një ndryshim i çmimit pas raportimit javor, nga dallimet ndërmjet pikave të shitjes të të njëjtit zinxhir në qytetin e përzgjedhur, ose nga një gabim në të dhënat e publikuara. Nëse vëreni një mospërputhje, përdorni formularin e raportimit për ta përcjellë për verifikim.
Çfarë ndodh pas raportimit të një gabimi në çmim?
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit shqyrton raportimin dhe e krahason me të dhënat e deklaruara nga tregtari. Nëse konstatohet një gabim, korrigjimi kryhet nga tregtari dhe publikohet në përditësimin e radhës, pas verifikimit dhe miratimit nga Ministria. Raportimi nuk e ndryshon automatikisht çmimin e publikuar.
A është e detyrueshme të jap emrin dhe të dhënat e kontaktit?
Jo. Emri dhe të dhënat e kontaktit janë opsionale. Nëse dëshironi të merrni një përgjigje për raportimin tuaj, mund të lini të dhënat e kontaktit. Ato nuk publikohen dhe përdoren vetëm për t’ju kthyer përgjigje. Adresa IP nuk ruhet si pjesë e të dhënave të raportimit; ajo regjistrohet vetëm te hyrjet në llogari të tregtarëve dhe të stafit, për sigurinë e tyre, dhe fshihet pas 90 ditësh.
A mund të paraqes një ankesë ndaj një tregtari përmes platformës?
Platforma mundëson raportimin e mospërputhjeve ndërmjet çmimit të publikuar dhe çmimit në pikën e shitjes. Për ankesa të tjera ndaj tregtarëve, drejtohuni strukturave përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit.

Për operatorët ekonomikë

Si krijohet llogaria në platformë?
Llogaritë krijohen nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Për secilin zinxhir tregtar krijohet një llogari e vetme. Dokumentacioni dhe të dhënat e nevojshme për krijimin e llogarisë përcaktohen në udhëzuesin për operatorët ekonomikë.
A mund të korrigjohet një çmim pas konfirmimit?
Pas konfirmimit, të dhënat kyçen. Për korrigjimin e një çmimi, operatori ekonomik duhet të paraqesë një kërkesë, e cila shqyrtohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Vlera e mëparshme nuk fshihet: ajo ruhet në historik së bashku me vlerën e korrigjuar, duke shënuar autorin, datën dhe orën, si dhe arsyen e ndryshimit.
Çfarë ndodh nëse çmimet nuk raportohen brenda afatit?
Procedura për trajtimin e mosraportimit brenda afatit do të përcaktohet në Urdhrin e Ministrit dhe ende nuk është konfirmuar. Deri në përcaktimin e saj, mosraportimi evidentohet si vonesë në panelin e Ministrisë.

Të dhënat

A mund të shkarkohet tabela e çmimeve?
Aktualisht, tabela e çmimeve nuk mund të shkarkohet nga faqja publike. Ky funksion është në zhvillim dhe parashikohet të bëhet i disponueshëm pas përfundimit të fazës pilot.
A publikohen marzhet ose kostot e tregtarëve?
Jo. Të dhënat mbi marzhet dhe kostot e tregtarëve përdoren vetëm për analiza të brendshme të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Ato nuk publikohen, as në formë të përmbledhur që mundëson identifikimin e një operatori ekonomik të veçantë.

Për pyetje ose sqarime të mëtejshme, përdorni formularin e raportimit ose kontaktoni koordinatorin e projektit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.